Dy fjalë
Të respektosh kohën e spektatorit, është një ndër përqasjet më të rëndësishme për krijuesit. Kur sheh një mori realitetesh që vijnë në forma produktesh, komoditetesh, përvojash dhe premtimesh që zgjerojnë realitetin tonë, jo domosdoshmërisht për mirë, është një sfidë që jo shpesh merret me seriozitet. Në mjaft raste mund të argumentohet se vetë spektatorët nuk respektojnë kohën e tyre, por kjo është një temë tjetër. Kush krijon, priret të respektojë.
Krijimi i këtij uebsajti, nuk është një tentativë për 'më shumë'. Nuk është një aksion për të pozicionuar apo për të afirmuar... ama, lehtësisht mund të argumentohet si një mënyrë për të mos u deformuar. Jo sepse ka rëndësi mosdeformimi, por sepse tentativa për të vërtetën ka. Mekanizmi im jetësor prej maturisë e sipër është përmbledhur në "unë zgjidh dhe krijoj"; dikur kam zgjidhur e krijuar prej nevojës, sot e bëj sepse nuk mjafton ajo që është. Në njëfarë mënyre, sërish prej nevojës.
Nuk kaloj dot një ditë pa pasur përshkrimin 'bukur' diku aty. Kur sheh makron, ke tendencën të demotivohesh jo për oqeanin e thellë që duhet të notosh, më shumë se për arsyen se pse duhet ta bësh. Navigimi në këtë realitet jo linear është një sfidë e vërtetë. Kjo ndjesi e bën edhe më të bukur, ndryshe do të ishte një tjetër hark, që sërish nuk do të ishte problem, ama kur rrëmoj nëpër eksperienca, mendoj se flakët e ndezura janë ato që na e bëjnë jetën më shumë të jetueshme dhe të padurueshme. Këtu, pikërisht këtu, nis zgjidhja. Ka rëndësi pika nga ku zgjedh të nisesh, por në fund ajo që është e pashmangshme është thjesht e vonuar. Speciet avancojnë jo vetëm nga ata që 'zhurmojnë në skenë', por edhe nga ata që lënë një shkëndijë këtu apo atje, dhe vazhdojnë punën e tyre për të parë çfarë tjetër merr vërtet flakë.
Kam kuptuar herët se gjërat më të rëndësishme në jetë, nuk i kemi në dorë. Ndoshta në të ardhmen kjo narrativë ndryshon. Është mirë të qëndrojmë me ato që dimë, apo ato që mendojmë se dimë. Dhe ajo që dimë është që dimë ende jo mjaftueshëm (përshëndetje nga 2026-a Sokrat), ndaj dhe përpjekja për të shtyrë sa më shumë, ndoshta do të bëjë një diferencë idealisht për mirë.
Tiranë, 2026
Bio
Dario Rexhollari është autor, drejtor kreativ dhe sipërmarrës teknologjie shqiptaro-kanadez. Ai është themelues dhe CEO i Spontan Creative Media, një kompani që punon në ndërthurjen mes komunikimit, teknologjisë, filmit dhe medias interaktive.
Përmes Spontan, ai ka drejtuar punë për institucione publike, organizata ndërkombëtare, ambasada, programe të financuara nga donatorët dhe kompani private në Shqipëri dhe më gjerë, duke kontribuar në fushata institucionale, iniciativa evropiane dhe ndërkombëtare, platforma digjitale, prodhime audiovizuale, sisteme identiteti dhe projekte krijuese me komunikim publik. Ai është gjithashtu anëtar i bordit të Teach 4 Albania, duke reflektuar interesin e tij të vazhdueshëm për edukimin, potencialin e të rinjve dhe ndikimin shoqëror.
Puna e tij shtrihet edhe përtej kornizës së kompanisë, nga publikimi i romanit "Loja e Fituar" në moshën 18-vjeçare, te krijimi i "Billionaires Show", një lojë diturie në VR për Meta Quest, si dhe regjia e spoteve televizive, dokumentarëve dhe fushatave. Drejtimi i tij aktual formësohet gjithnjë e më shumë nga teknologjia dhe zhvillimi i produkteve, duke ndërtuar sisteme dhe përvoja që i kthejnë idetë në forma të përdorshme, të dukshme dhe të qëndrueshme.